Në seancën e sotme që po mbahet në Gjykatën Speciale ndaj ish-ushtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, ZPS’ja ka kërkuar që të fillojë procesi gjyqësor ndaj Mustafës.
ZPS’ja thotë se i ka përfunduar proceset hetimore ndaj Salih Mustafës dhe se janë të gatshëm që të fillojë procesi gjyqësor.
“ZPS i ka përfunduar hetimet e veta, ka dy aktivitete hetimore që nuk kanë përfunduar ende dhe kemi depozituar një dokument të portokolluar sot në mëngjes. Tjetër aktivitet hetimor që nuk është i përfunduar, është në dijeninë tuaj gjykatës. Këto dy aktivitete të papërfunduara nuk e pengojnë fillimin e procesit gjyqësor”, tha përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit.
Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.
Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.
Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.
Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.
Mustafa ka qenë bashkëveprimtar i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera të UÇK’së.
Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKQK-së, trasmeton Indeksonline
Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit Agim Çeku.