Viti 2020 nuk ishte vit i mirë për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll, pasi “Dardanët” patën rënie të madhe gjatë vitit, që ndryshe po njihet si viti i COVID-it.
Kosova i numëroi një pas një dështimet, duke bërë që humbjet të ktheheshin në gjë normale.
Pa dyshim, humbja më e madhe ishte ajo nga Maqedonia e Veriut (2-1) në kuadër të Play-offit për Kampionatin Evropian.
Kjo bëri që ekipi i Bernard Challandes ta lëshojë mundësinë jetike për t’iu afruar kualifikimit.
Përpos që nuk arriti të shkonte në Euro 2020, ekipi kosovar u përball me mungesa të shumta, duke i përfshirë këtu lëndimet dhe mosardhjet e lojtarëve shkaku i koronavirusit, pasi klubet dhe shtetet ku jetonin shpesh herë nuk i lejonin.
Kjo rezultoi edhe me një seri të zezë prej 10 ndeshjesh pa fitore, prej tyre 8 humbje e 2 barazime, respektivisht më shumë se një vit pa u gëzuar.
Gjithçka nisi me humbjen në miqësore ndaj Suedisë, ku nuk luajtën lojtarët kryesor, për tu mbyllur me fitore ndaj Moldavisë (1-0) në muajin nëntor ku edhe i dhanë fund kësaj serie negative.
Sidoqoftë, kjo fitore nuk e arsyeton dështimin e Vedat Muriqit e Milot Rashicës me shokë në Ligën e Kombeve, ku krahas Moldavisë, e kishin në grupin C të Ligës 3 edhe Greqinë
Kosova e mbylli grupin në vendin e tretë me pesë pikë, prej tyre tri humbje, dy nga Sllovenia dhe një nga Greqia në Prishtinë.
Ndërkohë, “Dardanët” e mposhtën Modavinë në shtëpi dhe barazuan me të në udhëtim.
Ata ia nxorën një pikë edhe Greqisë i mysafirë.
Një vit për tu harruar, por duke shpresuar që viti 2021 të jetë më i mirë. / RTV-OKARINA