Përfaqësuesi i disa fshatrave në Rugovë: Gjendja me zjarret është alarmante

 

Ka disa ditë që Rugova, përkatësisht fshati Shtupeq i Madh, është duke luftuar me zjarret.

Natën e së mërkurës situata me këto vatra zjarri ka qenë stabile por sipas Agon Nikqit, përfaqësues i disa fshatrave të Rugovës, mëngjesin e së enjtes gjendja ka dalë jashtë kontrolli.

“Gjendja në fshatin Shtupeq i Madh natën është stabilizuar pak, mirëpo në mëngjes situata është bërë alarmante. Zjarrfikësit dhe njerëzit që janë mobilizu me fikë zjarrin janë aktivizu qysh në orët e para të mëngjesit, dhashtë zoti që të bjerë shi se situata është mjaftë e rrezikshme dhe mjaft alarmante”, ka thënë Nikqi për Klan Kosovën.

Ai po ashtu ka potencuar se edhe trupa të KFOR-it kanë dalë në ndihmë.

 

 

“Deri në orët e vona të mbrëmjes kanë qenë aktivë dhe kontributi i tyre ka qenë i pazëvendësueshëm”, ka shtuar Nikqi.

Situata bëhet edhe më alarmante sipas Nikqit meqë ka vende të cilat janë kapluar nga zjarri e ku nuk mund të intervenohet me mjete tokësore si cisterna e të tjera por vetëm me helikopterë.

E mbeturinat që janë hedhur nëpër pyje dhe era e fortë po kontribuon edhe më shumë që zjarret në Rugovë të dalin jashtë kontrolli.

Deri mbrëmë sipas Nikqit kanë qenë 80 hektarë që janë përfshirë nga zjarri në Rugovë.