Për votimin e personave me Covid-19, rreth 200 ekipe në terren

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të ketë 200 ekipe mobile në terren në shërbim të personave të infektuar me Covid-19 për votimet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ku sipas zëdhënësit të  KQZ-së, Valmir Elezi  janë bërë përgatitjet që votimi i personave të infektuar me Covid të jetë i suksesshëm.

“Ekipet mobile do të jenë në shërbim për qytetarët që nuk mund të shkojnë në vendvotim për shkak të masave kufizuese. Mësimet të cilat i kemi marrë nga komuna e Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do të na shërbejnë shumë në realizimin e shërbimit të votimit edhe për këta qytetarë me të drejtë vote. Zakonisht ekipet mobile do të përbëhen nga 4 anëtarë.

Njëri prej tyre do të jetë nga ekipet shëndetësore me qëllim që të këshillojë profesionalisht anëtarët e ekipit mobil. KQZ do të marrë listat zyrtare nga IKSHPK dhe institucionet tjera përkatëse që merren me pandeminë, në mënyrë që të evidentohen dhe saktësohen të prekurit me Covid që janë në listat votuese. Kjo praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut” ka thënë Elezi.