Për verifikimin e votuesve jashtë Kosovës, PZAP hedh poshtë ankesën e LVV-së dhe Germin

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe organizatës “Germin” lidhur me verifikimin e aplikacioneve për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

Ky vendim është marr në mbledhjen e mbajtur dje më 13 janar 2021.

“Hedhen të palejuara apelet Anr.1/2021 i datës 12.01.2021, i ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje dhe Anr.2/2021 i datës 12.01.2021, i ushtruar nga Organizata joqeveritare “Germin”, kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me nr. 42-2021 i datës 11.01.2021. që ka të bëjë me Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosove”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Kujtojmë që në mbledhjen e së hënës, pa asnjë kundërshtim nga anëtarët, është vendosur verifikimi i personave jashtë Kosovës që duan të votojnë të bëhet duke i telefonuar ata, dhe nëse të njëjtit nuk përgjigjen, aplikimi i tyre për votim refuzohet.

Nga 13 janari 2021 ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës dhe do përfundoj më 21 janar 2021 në orën 18:00.   /RTV-OKARINA