Për herë të parë në një dekadë, RTK-ja nuk operon me humbje në tremujorin e parë

 

Radio Televizioni i Kosovës për herë të parë në një dekadë nuk ka operuar me humbje në tremujorin e parë të vitit. Kështu ka konstatuar kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, në raportin financiar të shpenzimeve të periudhës janar-mars 2022 përpara Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të mërkurën.

Sipas Boletinit, ulja e pagave dhe shpenzimeve për program kanë bërë që fillimi i vitit 2022 të mos niset me humbje.

“Kemi eliminuar shpenzimet, siç një peshk ka kushtuar 32 euro. Gjithashtu kemi ndaluar përdorimin e veturave për lëvizjet në më pak se 1 kilometër. Ka pasur edhe ulje të numrit të punëtorëve, për shkak të pensionimeve dhe i kemi përjashtuar ata që kanë neglizhuar punën”, ka thënë Boletini.

“Do ta bëjmë një investim prej 15 mijë eurosh në RTK 1 për ta bartur stafin e RTK 3 në infrastrukturën e RTK 1. Punëtorët e RTK 3 tash do të kenë kushte më të mira”, ka thënë Boletini në kuadër të masave që kanë marrë për kursim të buxhetit të RTK-së.