PDK kundër Fondit të Sigurisë: Edhe një barrë tjetër e rëndë për një popullatë

Partia Demokratike e Kosovës është deklaruar kundër vendimit të Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Reagimi vjen në ditën edhe kur u hap llogaria bankare dhe në të u derdhën mijëra eurove donacione.

Krijimin e këtij fondi, PDK e sheh si paaftësi të Qeverisë Kurti për të kuptuar sigurinë kombëtare dhe përpjekje tjetër për tu dukur se po bëjnë diçka.

“Siguria Kombëtare është element thelbësor që lejon një vend të lulëzojë. Është shqetësuese të shikosh se si kjo qeveri dëshmon paaftësinë e saj për të kuptuar sigurinë kombëtare, e lëre më të jetë në gjendje të identifikojë dhe planifikojë se si t’i trajtojë konkretisht kërcënimet dhe rreziqet e sigurisë ndaj Kosovës”, ka thënë Besa Kabashi.

“Fondi i Sigurisë është një përpjekje tjetër e kësaj qeverie për t’u dukur sikur po bëjnë diçka, në kontekstin aktual të sigurisë, por në realitet, po tregon qartë se kjo qeveri nuk e kupton sigurinë kombëtare dhe aparatin e saj dhe se si në të vërtetë financohet dhe funksionon ky sektor”, tha ajo.

Sipas PDK-së, një ushtri e fortë nuk mund të ndërtohet nga “lëmosha” jashtë sistemit shtetëror për të mbështetur planin zhvillimor të FSK-së.

“Ushtria kërkon një qasje serioze institucionale për financimin e saj njohuri të thellë të rëndësisë së qëndrueshmërisë së financimit. Një ushtri e fortë nuk mund të ndërtohet e as të mbahet nga “lëmosha”, është e paqëndrueshme, jo serioze, jashtë sistemit shtetëror tashmë ekzistues për të mbështetur planin zhvillimor të FSK-së, dhe një barrë tjetër e rëndë për një popullatë tashmë të varfër që mezi përballon ushqimin dhe rrymën. Mos të flasim për një mërgatë të rraskapitur me barrën e ndihmës për ne, me dekada të tëra”, tha Kabashi.