PDK-ja kërkon nga 100 euro në muaj për punëtorët dhe të papunët në Kosovë

 

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci përmes një konference për media të premten ka kritikuar Qeverinë Kurti për diskriminim të qytetarëve lidhur me vendimet e fundit për përcaktimin e pagës minimale dhe ndarjes së 100 eurove për disa kategori.

Stavileci kërkoi që Qeveria të ndajë nga 100 euro në muaj për të gjithë punëtorët dhe të papunët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të Pagave dhe Ligjit për Pagën Minimale.

“Edhe përkundër vështirësive të shumta me të cilat po përballen sot qytetarët e Kosovës, tri krizave më të mëdha në historinë e tyre më të re, pandemisë, shtrenjtimit astronomik të çmimit të rrymës dhe ngritjes marramendëse të çmimeve të prodhimeve elementare për jetesë, qeveritarët tanë, ironikisht krejt kundër me atë për çfarë kanë marrë besimin e tyre, po e thellojnë hendekun e pabarazisë shoqërore pikërisht me taksat e vetë qytetarëve. Tani kur edhe inflacioni i çmimeve shënoi rekordin më negativ dyshifror për ta goditur akoma më shumë mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë, qeveritarët në vend të lehtësimit të kësaj goditjeje dhe rëndimi, zgjodhën goditjen e sërishme nëpërmjet mosdëgjimit të kërkesave të tyre, anatemimit dhe diskriminimit”, theksoi Stavileci.

Sipas tij, qytetarët me shumë të drejtë, po kërkojnë që paga minimale të jetë më e lartë nga ajo që ka propozuar qeveria dhe se paga minimale duhet të jetë më e lartë se 300 euro.