Paraburgim prej 30 ditësh, kërkon Prokurori për policin Haris Kelmendi


Prokurori i shtetit ka kërkuar që zyrtarit policor, Haris Kelmendi, i arrestuar të shtunën për keqtrajtim të një të riu në vitin 2018, t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 30 janar 2021, ka ndaluar personin me inicialet H.K., zyrtar policor, i cili në vitin 2018, kishte keqtrajtuar një qytetar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. I njëjti është ndaluar, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, paragrafi 1 pika 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, personi i lartpërmendur, dyshohet se pas lirimit nga ndalimi, ka penguar zhvillimin e të provuarit në procedurë, duke i bërë thirrje të dëmtuarit-dëshmitarit që ta tërheqë deklaratën e tij të dhënë në polici dhe duke i penguar hetimet.

Prokurori i Shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, në gjykatën kompetente.

Haris Kelmendi, pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, është arrestuar  nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

Në një video të publikuar shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga polici Haris Kelmendi në vitin 2018, vepër kjo për të cilën i njëjti u arrestua të enjten, kurse më apastaj pas intyervistimit u lirua, për t’u arrestuar sërish të shtunën

/RTV-OKARINA