Pandemia dhe zgjedhjet shtyjnë regjistrimin e popullsisë

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të mbahet gjatë këtij viti, do të realizohet në vitin 2022, thotë për Radion Evropa e Lirë, Avni Kastrati, drejtor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti, regjistrimi optimal do të ishte në muajin prill 2022, por ende nuk është vendosur data e saktë”, thotë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Avni Kastrati.

Sipas të dhënave të ASK-së, popullsia e përgjithshme rezidente në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë.

Ramadani: Shtyrja e regjistrimit, vendim i gabuar

Shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e vlerëson vendim të gabuar Ibrahim Ramadani, profesor në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës.

Ai thotë se me vetë faktin se në kohë pandemie po lejohet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, regjistrimi i popullsisë nuk mund të paraqesë rrezik për shëndetin e qytetarëve.

“Vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, si mund të ndahen mjete për komuna pasi numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit qeveritar në nivel lokal. Një shkollë për të ndërtuar nuk mundesh pa e ditur potencialin demografikë”, thotë ai.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, llogaritet të jetë rreth 1.8 milion banorë. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë ( Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Por, në zgjedhjet e ardhshme, Avni Kastrati thotë se “ka një vullnet për pjesëmarrje” nga banorët e katër komunave serbe.