Osmani udhëton për në Turqi, do ta përfaqësojë Kosovën në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani udhëtoi zyrtarisht për në Turqi, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Në këtë samit, i cili sivjet mbahet për herë të 25-të dhe këtë vit udhëhiqet nga Turqia, Presidentja do të flasë lidhur me qëndrimet e Republikës së Kosovës për sa i përket bashkëpunimit rajonal, adresimit të sfidave të pandemisë, si dhe integrimit euro-atlantik.

Më pas, Osmani do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalias, krahas shumë udhëheqësve shtetërorë nga e gjithë bota. Në këtë forum ajo do të jetë pjesë e panelit “Global Governance: New Approaches for Global Solutions” (Qeverisja globale: Qasje të reja për zgjidhje globale). Ajo poashtu do të flasë edhe në disa prej ngjarjeve të tjera të organizuara nga ky forum.

 

 

Gjatë qëndrimit në Turqi, Osmani do të ketë edhe disa takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në këto dy forume. Ajo do ta takojë presidentin e Turqisë, Erdogan, përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borell, ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Makhdoom Shah Mahmood Qureshi, si dhe udhëheqës të tjerë pjesëmarrës në këtë forum.

 

\RTV-Okarina\