Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar takimin në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Osmani në një intervistë për gazetën austriake “Wiener Zeitung”, ka thënë se Kosova ka shënuar përparim në disa drejtime ndërkaq Serbia ka tentuar ta bllokojë procesin e negociatave.
“Serbia nuk kishte përgatitur asgjë dhe nuk bëri asnjë propozim, ndonëse diçka e tillë është e nevojshme nëse duhet të ketë ndonjë përparim. Në anën tjetër, Kosova ka bërë disa propozime të reja, për shembull mbi marrëdhëniet tregtare rajonale, të drejtat e pakicave ose çështjen e personave të zhdukur. Serbia me sa duket ka refuzuar gjithçka”.
Ajo ka folur edhe për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave nga dy shtetet siç janë Franca dhe Holanda.
Vjosa Osmani tha se frika e tyre për emigrantët nga Kosova nuk qëndron.
“Është shqetësim i paarsyeshëm. Pati probleme më 2014/2015 kur shumë njerëz donin të hynin në BE dhe të qëndronin atje. Por numri i tyre ka rënë në mënyrë dramatike. Kosova nuk është më në listën e 40 vendeve nga të cilat vijnë shumë emigrantë”.
E para e shtetit të Kosovës shtoi se ngecja e Bashkimit Evropian në procesin e liberalizimit të vizave e humb besueshmërinë tek ky union.
“BE nuk po i mban premtimet e saj dhe po dobëson besueshmërinë e saj. Disa shtete anëtare hezitojnë për arsye të politikës së brendshme. Por, kjo nuk është arsye për të ndëshkuar kosovarët që ndihen sikur janë në një geto politike”.
\RTV-Okarina\