23 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Me këtë datë presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, i cili nuk zgjodhi mjete kundër banorëve të këtyre fshatrave.
“Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të. Këto vende ngjallin dhimbje, pikëllim, por edhe krenari. 23-vjet pas krimit, gratë e Krushës janë shndërruar në inspirim dhe në model të ngadhënjimit ndaj të keqes”.
Osmani tha se Krusha dhe i gjithë shteti i Kosovës do të jetojnë përherë me kujtimin për të gjithë ata që ranë për liri.
“Nuk do t`i harrojmë ata, por njësoj sikurse gratë e Krushës do të shikojmë kah e ardhmja dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. Secila nga këto ditë deri në mes të qershorit, është e mbushur me dhimbje e krenari për popullin e Kosovës.
Dje përkujtuam edhe të rënët në masakrën në Kotlinë të Kaçanikut, veprimtarët Latif Berisha e Agim Hajrizi (me familjarë) që u ekzekutuan më 24 mars në Mitrovicë si dhe avokatin e humanistin Bajram Kelmendin, i cili u ekzekutua mizorisht së bashku me dy djemtë e tij. Nesër, bëhen 23 vjet nga masakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë, ku pushteti i atëhershëm serb dëshmoi qëllimin e vet shfarosës duke vrarë në mënyrën më brutale fëmijë, gra e të moshuar”.
Presidentja ka shkruar se të rënët për liri janë forca dhe vullneti i Kosovës për të ecur përpara.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga Krusha e Madhe.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër ish-prsidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë./SHQIP.com