Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në mars të këtij viti i ishin drejtuar me një letër organizatës Europa Nostra, ku kanë shpalosur argumentet përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.
Përmes kësaj letere të cilën e ka bërë publike Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Osmani e Kurti kanë theksuar se Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kushtet për për t’u përzgjedhur si njëri nga monumentet më të rrezikuara listës finale të kësaj organizate.
“Gjykuar nga kriteret e përzgjedhjes për t’u përfshirë në listën tuaj, ne besojmë në vlerat universale, të cilat i ngërthen në vete Manastiri i Deçanit. Brenda sistemit të trashëgimisë kulturore, monumenti ka rëndësi të veçantë dhe vlera kulturore të jashtëzakonshme. Megjithatë, ky nominim nuk e plotëson kriterin më të rëndësishëm të programit tuaj, atë që lidhet me argumentimin e rrezikut serioz që i kanoset monumentit. Më poshtë po i shpalosim argumentet tona, të cilat bazohen në informacion zyrtar të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe raportet relevante ndërkombëtare.
Në sulmet e pretenduara ndaj manastirit, gjuha e përdorur nga nominuesi është e pasaktë, duke qenë edhe tendencioze dhe e papranueshme. Termi “ekstremistët lokalë” është cilësim i ekzagjeruar qëllimshëm, ndërsa sulmi i pretenduar nga organizata terroriste ISIS është totalisht i pabazuar në fakte. Kjo gjuhë na bën të besojmë se teksti i nominimit nuk ka ndjekur linjë profesionale të argumentimit, dhe ka devijuar në përmbajtje me ngarkesa politike dhe propaganduese. Dëshmia më e mirë është mungesa e burimeve të besueshme mbi të cilat bazohen këto konstatime tendencioze”, thuhet në letrën e përbashkët të Osmanit dhe Kurtit.
Më tej Osmani e Kurti i drejtohen zyrtarëve të Europa Nostras se kanë pranuar me shqetësim të thellë konstatimin tërësisht të gabuar brenda tekstit të nominimit se statusi i Kosovës është i pazgjidhur.
“Na lejoni t’ju konfirmojmë se Kosova ka shpallur pavarësinë me datën 17 shkurt 2008. Ky deklarim unanim i vullnetit të popullit të Kosovës përmes përfaqësuesve të vet të zgjedhur është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010. Vendimi i GJND-së ka konstatuar se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në letër.
Osmani e Kurti theksojnë se “Mendojmë se ky është rasti i parë kur programi mund të përdoret si mjet për të shtyrë përpara një agjendë të fshehur dhe aspak parimore, që as nuk ka të bëjë me trashëgiminë kulturore. Nëse kalon, ky do të jetë një precedent shumë i rrezikshëm. Politizimi i skajshëm i trashëgimisë kulturore nuk u shërben kauzave të drejta, por interesave të veçanta të shteteve që keqpërdorin platformat europiane dhe ndërkombëtare të bashkëpunimit kulturor në shërbim të paqes e prosperitetit të përgjithshëm”.
Po ashtu, presidentja dhe kryeministri theksojnë se Manastiri i Deçanit nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lidhje me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përpjekja për të ndërtuar një lidhje mes këtyre të dyjave është artificiale dhe e paqëndrueshme, dhe si e tillë duhet të refuzohet”, kanë thënë Osmani e Kurti. Organizata Euopa Nostra e ka listuar Manastirin e Deçanit në “listën e monumenteve në rrezik”.
\RTV-Okarina\