Ish-kryeparlamentarja, Vjosa Osmani i uron punë të mbarë Glauk Konjufcës, për pozitat e reja si kryetar i ri Kuvendit dhe ushtrues i detyrës së presidentit.
“Kryetarit të ri të Kuvendit, njëherësh U.D. President, z. Glauk Konjufca dhe Kryesisë së re të Kuvendit, u uroj punë të mbarë në udhëheqjen e institucionit më të lartë legjislativ e përfaqësues të vendit tonë”.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se për të ishte nder të shërbente si kryetare e Kuvendit dhe si ushtrueses e detyrës së presidentes.
“Ishte nder i jashtëzakonshëm që përgjatë legjislaturës së shtatë të jem në krye të Kuvendit, tempullit të demokracisë dhe të punoj duke përfaqësuar interesin e qytetarëve dhe duke rritur integritetin e transparencën në këtë institucion”.
“Dita e sotme, është realizim i vullnetit qytetar të shprehur me votë plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit. Të gjitha deputeteve dhe deputetëve u uroj punë të mbarë, duke uruar që të jenë përherë të udhëhequr nga kërkesat dhe nevojat e qytetarëve dhe të shërbejnë gjithnjë në shërbim të më të mirës për ta”, ka shkruar Osmani.
\RTV-Okarina\