OAK-ja i kërkon Ministrisë së Financave kompensim të dëmeve biznesore

 

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve ku si përfaqësuese e mbi 500 bizneseve anëtare ka kërkuar kompensimin e dëmeve që i janë shkaktuar bizneseve nga vendimi i fundit i Qeverisë për masat kundër COVID-19, sipas të cilit bizneseve dhe punëtorëve iu është kufizuar e në disa raste edhe iu është ndaluar në tërësi e drejta e punës.

“Referuar vendimit të lartpërmendur është kufizuar puna e gjithë operatorëve ekonomikë, duke përfshirë gastronominë, hotelerinë, e në mënyrë indirekte është prekur puna e të gjithë sektorëve tjerë ekonomik, është kufizuar orari i punës për bizneset, kështu i janë shkaktuar dëme të mëdha bizneseve dhe njëkohësisht edhe punëtorëve, të cilat veç filluan paksa ta marrin veten nga mbylljet totale dhe kufizimet e shumta që ju kanë bërë që nga fillimi i pandemisë COVID-19”.

 

 

OAK kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që të kompensohet dëmi i shkaktuar bizneseve me masat e fundit ashtu që të mbulohen humbjet nga ndalimi i menjëhershëm, shpenzimet e qirasë për biznese në shumë prej 50 % të lartësisë së qirasë dhe 50 % e pagës së punëtorit.

“OAK vlerëson se fatale për gjendjen e bizneseve në vend janë vendimet e shpejta dhe pa paralajmërim, e të pakoordinuara dhe pa konsultim paraprak me sektorin privat, kështu duke shkaktuar humbje të mëdha në stoqet e grumbulluara e të planifikuara me rastin e ushtrimin të aktiviteteve të tyre afariste, pamundësi të realizimit dhe përmbushjes së kontratave me klientët e tyre të kontratuara që më parë, detyrim për kthim të avanseve dhe kapareve, dëme materiale dhe jo materiale, si dhe probleme të shumta me sigurimin e pagave për punëtorët”.

 

\RTV-Okarina\