Numërimi i votave të diasporës, ende nuk dihet kur mund të fillojë

Valmir Elezi,  Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,ka thënë se janë duke pranuar materialin e ndjeshëm i cili është përdorur gjatë ditës së zgjedhjeve, teksa shpjegoi se pa përfunduar disa procese në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nuk do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre nga jashtë vendit.

Ai njoftoi se numërimi i votave nëpër vendvotime ka përfunduar gjatë të dielës në mbrëmje.

Numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet, ka përfunduar të dielën në mbrëmje, ato pothuajse 99% janë tashmë në web faqe. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve jemi duke pranuar materialin ndjeshëm që është përdorur gjatë ditës së djeshme në vendvotime. Ky proces është i domosdoshëm, për të ditur saktë se si ka shkuar procesi i votimit gjatë ditës së djeshme”, tha Elezi.

Elezi tha se nuk mund të thotë një datë të saktë se kur fillon numërimi i votave me kusht dhe atyre që kanë ardhur nga jashtë vendit.