Një raund i ri bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës do të zhvillohet në Stamboll midis 28 dhe 30 marsit. Kievi është i gatshëm të negociojë neutralitetin me Rusinë, tha Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në një intervistë për mediat opozitare ruse. Zelenski tha se me luftën Rusia ka asgjësuar qytetet rusishtfolëse në Ukrainë.
“Garancia e sigurisë dhe neutralitetit, statusi pa armë bërthamore – ne jemi të gatshëm të flasim për këtë,” tha Zelenski për qëndrimin e Ukrainës, duke shtuar se ata janë të gatshëm të njohin rusishten si gjuhë zyrtare në Ukrainë.
Zjarre të reja kanë shpërthyer pranë termocentralit bërthamor të okupuar Çernobil, thanë autoritetet ukrainase. Ata bënë thirrje për “çmilitarizimin” e sektorit nën kujdesin e OKB-së për të kontrolluar zjarrin.
Ushtria ukrainase ka zmbrapsur 5 sulme në rajonet Doneck dhe Lugansk. Për shkak të humbjeve të mëdha, Rusia ka tërhequr dy grupe taktike batalionesh nga rajoni i Kievit, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.
Në qendër të Sofjes u mbajt një maratonë rock 4-orëshe “Ne jemi me ju” në mbështetje të Ukrainës. Mijëra bullgarë me flamuj ukrainas marshuan në Sheshin e Pavarësisë dhe në zonën përreth.
Manifestimet e solidaritetit për Ukrainën po vazhdojnë në Sofje. Më 28 mars është organizuar një koncert bamirës “Së bashku për Ukrainën” nga Radioja Kombëtare Bullgare dhe Televizioni Kombëtar Bullgar.