Nis kampanja në rrjetet sociale për lejimin e vajzave me mbulesë në shkolla

“Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë” është kampanja përmes së cilës Durim Berisha dhe Liridon Kurti po kërkojnë të ndryshohet një nen i udhëzimit administrativ, i cili ua ndalon vajzave me mbulesë të vijojnë procesin mësimor.

Të hënën ata i kanë dërguar shkresë ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, për t’i kërkuar ndryshimin e këtij neni, pasi sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Kurti në një prononcim për Telegrafin tha se nga ministria ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodh brenda afatit prej 45 ditësh, atëherë rastin do ta procedojnë në gjykatë.

“Kemi dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Arsimit për ta ndryshuar udhëzimin. Krejt kjo ka ardhur pasi udhëzimi në fjalë nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Pas kërkesës që kemi dorëzuar në ministri, kemi filluar me kampanjën”.

“Kërkesën e kemi dorëzuar të hënën, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Kanë afat 45 ditë po të iu përgjigjur kërkesës tonë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh do ta procedojmë rastin në gjykatë”, deklaroi ai.

Kurti tutje shtoi se interesimi i qytetarëve për t’iu bashkuar kampanjës është i kënaqshëm, pasi “janë kundër diskriminimit që po u bëhet vajzave me shamia”.

“I kemi mbi 25 mijë engagements në hashtag-un në rrjetet sociale Facebook e Instagram. Nuk e kam pritur këtë interesim kaq të madh”, u shpreh ai.

Një nen në udhëzimin administrativ të miratuar në vitin 2014 është ende në fuqi, duke ndaluar bartjen e uniformës fetare në objektet arsimore. Ndryshimi i këtij neni është kërkuar disa herë nga komuniteti islam.

Kryeministri aktual i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në deklarimet e tij, gjatë fushatës zgjedhore por edhe nëpër intervista televizive, ka thënë se është kundër ndalimit të bartjes së shamisë. Sipas tij, kjo është çështje e të drejtave elementare njerëzore.

“Ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”, ka thënë Kurti në një tubim në vitin 2017, ku ka thënë se partia e tij do ta “luftojë islamofobinë”.

“Pra ne nuk do ta pengojmë një vajzë që shkollohet, ose një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor, për shkak se në njërën anë është e drejta e mësimit, e në anën tjetër është bindja jonë se është e rëndësishme çka ke në kokë, e jo çka ke mbi kokë”.

Prej kohës kur Kurti është bërë kryeministër, ai nuk ka thënë asgjë se cili do të jetë vendim i Qeverisë së tij në lidhje me bartjen ose jo të shamisë në shkolla.

Kujtojmë që, Kushtetuta e përcakton Republikën e Kosovës si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.