Nga protesta e punëtorëve shëndetësor: Kemi dal t’i themi “STOP” jotransparencës

 

Punëtorët shëndetësor protestuan para ndërtesës së qeverisë.

Ata me anë të kësaj proteste kërkuan rregullimin e gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes Ligjit të Pagave.

Kryetari Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla tha se kanë dalur t’i shpalosin hallet e tyre.

“Ne jemi mbledhur këtu para qeverisë që t’i shpalosim hallet tona sa i përketë gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor. Kohë më parë ne e patëm bërë një protestë simbolike me shpresën që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve në bisedime sa i përketë ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e mbarë popullatës. Por, ndodhi e kundërta, ata u mbyllën në veti dhe nuk dëshirojnë të bisedojnë me qytetarët e vet”, u shpreh ai.

Syla tha se qeveria në mënyrë të fshehtë punon pa ftuar përfaqësuesit jo vetëm të sindikatave, por edhe të shoqërisë civile.

“Kërkesa jonë e vetme sot dhe mbledhja e vetme për ne është Ligji i Pagave, ligj ky i cili kishte me vendos barazinë sociale me të cilin slogan ka ardhur edhe qeveria aktuale. Kjo nuk po ndodh, qeveria në mënyrë të fshehtë punon pa ftuar përfaqësuesit jo vetëm të sindikatave, por edhe të shoqërisë civile. Andaj ne sot kemi dalur t’i themi “stop” kësaj jotransparence”, tha ai.

Kryetari i FSSHK-së tha se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, atëherë do të ketë reagime më të ashpëra nga ana e tyre.

“Kemi dalur t’i lajmërojmë se nëse Ligji i Pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë do të kthehet në reagime edhe më të ashpëra sindikale”, u shpreh Syla.

Tutje, ai tha se kjo protestë është reagim për shprehjen e pakënaqësisë jo vetëm të tyre, por i gjithë popullatës së Kosovës.

I pranishëm në protestë ishte edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli i cili siç tha ka dalur për të përkrahur protestën e punëtorëve shëndetëor.

“Unë do të jem çdoherë përballë kërkesave të të gjitha sindikatave kur ta kanë nevojë”, u shpreh Hykolli.

Pjesë e protestës ishte edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili poashtu ishte në përkrahje të mantelbardhëve.

“Kam ardhur këtu që të sjellë mesazhin e mijëra punëtorëve të arsimit të cilët i bashkangjiten kësaj proteste”, tha Jasharaj.

 

\RTV-Okarina\