Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një njoftimi për media ka thënë se përkundër që kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të plotësohen kërkesat e tyre për vazhdimin e pagesës së pakos emergjente, një gjë e tillë nuk po bëhet.
Kjo sindikatë ka paralajmëruar protesta për diskriminimin që u është bërë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës, tash e një kohë të gjatë kërkon me ngulm nga Qeveria e Republikës së Kosovës realizimin e kërkesave të tyre të parashtruara kohë më parë. Kërkesa këto që ishin vazhdimi i pagesës së pakos emergjente për të gjithë punonjësit e PK-ës, pa dallim pozite dhe njësie, dhe fillimi i pagesës së shujtës (ushqimore) sipas zotimit për realizim nga muaj Janar 2021 për të gjithë Punonjësit e Policisë së Kosovës”.
Kjo sindikatë ka bërë të ditur se pas shumë përpjekjeve dhe kërkesave të një pas njëshme, akoma nuk ka asnjë përgjigje sa i përket realizimit të këtyre kërkesave sipas zotimeve. Po ashtu nuk janë përfshirë të gjithë zyrtarët policor në pagesën e pakos (shtesës prej 100 eurosh). Ndërsa për shujtën ushqimore nuk ka përgjigje se do paguhet sipas legjislacionit në fuqi, por edhe sipas zotimeve që do filloj nga ky fillim viti.
“Andaj duke parë këtë Këshilli drejtues i SPK-ës, sot me datën 21.01.2021 në takimin e mbajtur ka vendosur që të paralajmërojë protesta duke parë me shqetësimin, diskriminimin dhe anashkalimin e punonjëseve të PK-së. Dhe mu për ketë kërkojmë reflektim të shpejtë dhe konkret të Qeverisë së vendit, pasi që zgjedhja e veprimeve tona sindikale tashmë do jetë vetëm protesta,”, thotë ndër të tjera sindikata e policisë.
/RTV-Okarina/