Prokurori i Shtetit njofton opinionin se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore, me urdhër të prokurorit të shtetit për 48 orë janë ndaluar nëntë persona.
Gjithashtu janë bërë pesë kërkesa për caktimin e paraburgimit të pesë personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të Prokurorit të Shtetit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me urdhër të prokurorit ka ndaluar pesë persona të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale.
Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë 24 orëve të fundit ka ndaluar për 48 orë dy persona të dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër një personi të dyshuar, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një person, për shkak të veprave të ndryshme penale.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka bërë dy kërkesa për caktimin e paraburgimit për dy persona, për shkak të veprave të ndryshme penale.