Në dy ditët e fundit 47 fëmijë janë infektuar me coronavirus


 

Gjatë dy ditëve të fundit, 47 fëmijë janë infektuar me koronavirus në Kosovë.

Gjendja e këtyre fëmijëve konsiderohet stabile, meqë shumica nga ta, sipas autoriteteve shëndetësore, janë duke u trajtuar në shtëpi.

Vetëm një nga fëmijët e moshës së re (nga 0-9 vjeç) që ka dalë pozitiv me COVID-19, është duke u trajtuar në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

 

 

Rufadije Maqastena-Maxhuni, doktoreshë në Klinikën e Pediatrisë, tha për Radion Evropa e Lirë, së fëmija i pranuar në klinikë, që ka rezultuar pozitiv me COVID-19, është i izoluar dhe po e merr trajtimin e duhur.

“Pacienti është duke u trajtuar me terapi dhe gjendja e përgjithshme është stabile”, tha ajo.

Prej 13 marsit të vitit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, e deri më tash, në Klinikën e Pediatrisë në QKUK janë trajtuar 68 fëmijë të infektuar me koronavirus.

 

 

Numri i rasteve me COVID-19 ditëve të fundit është në rritje, kurse më 5 gusht, u regjistruan 195 raste të reja pas testimit të 3.730 mostrave.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Shëndetësisë (MSH) thotë se po e përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike në vend. MSH-ja shton se çdo rritje e rasteve me COVID-19, duhet të merret me shqetësim dhe me seriozitet.

“Po kryhen testime çdo ditë, gjurmime të rasteve dhe një mbikëqyrje e përgjithshme e situatës. Në varësi të zhvillimit të situatës më tej, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike do të japë rekomandimet përkatëse lidhur me situatën”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

 

 

Të vaksinohen prindërit

Infektologu Hamdi Ramadani, thotë se sikurse të rriturit, edhe fëmijët duhet të kenë kujdes të shtuar në mbrojtje nga virusi dhe të respektojnë masat siç janë mbajtja e maskës dhe e distancës.

“Pra nëse do të ketë rritje të numrit të rasteve, duhet të përdoren patjetër maskat. Po ashtu, nëse në një kopsht apo shkollë paraqiten rastet, ato duhet të mbyllen”, thekson Ramadani.