Ndalohen tre zyrtarë policorë për 48 orë

 

Prokuroria Themelore e Gjakovës, ka ndaluar tre zyrtarë policorë, në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se kishin kryer veprat penale: “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “ Lëndim i rëndë trupor”.

 

 

Prokuroria njofton se rasti ka ndodhur më 04 shkurt 2021, në orët e hershme të mëngjesit, ku viktima së pari është ndaluar nga zyrtarët policorë për kundërvajtje në trafik, më pas dyshohet se është keqtrajtuar, dhe nga përdorimi i forcës fizike nga ta, ai ka marrë lëndime të rënda trupore dhe për momentin gjendet për trajtim mjekësor.

 

 

 

Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, ka qenë në konsultim edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës, me rekomandimin e të cilëve janë suspenduar shtatë zyrtarët policorë, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë incident.

Prokuroria Themelore e Gjakovës, gjatë ditës do të bëjë kërkesën për paraburgim, në gjykatën kompetente, për tre zyrtarët policorë, të cilët gjenden në ndalim dhe do të vazhdojë hetimet edhe për katër policë të tjerë të cilët janë të dyshuar për rastin në fjalë.