Ndahen 4.35 milionë euro nga MAPL për komunat në kuadër të Grantit të Performancës Komunale

 

Është mbajtur takimi i Komisionit të Grantit të Performancës Komunale në përbërje të përfaqësuesve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, Agjencisë Suedeze, Ambasadës Norvegjeze, Zyrës Kombëtare të Auditimit, BIRN dhe INPO.

Takimi i Komisionit të Grantit është hapur dhe kryesuar nga zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të MAPL-së, Trim Berisha, ndërkaq në fjalën hyrëse u adresua Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi i cili theksoi se ndarja e grantit për komunat është e një rëndësie të veçantë, duke marrë parasysh nevojat e komunave si dhe ngritjen e performacës komunale në ofrimin e shërbimeve sa më të mira dhe më cilësore për qytetarët.

 

 

Gjithashtu, Ministri Krasniqi potencoi se tani është koha adekuate që të rrisim bashkëpunimin dhe koordinimin me donatorët dhe akterët e përfshirë. Mbështetja e MAPL-së do të jetë e vazhdueshme dhe në pajtueshmëri me donatorët.

Drejtoresha e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë Katharina Stocker theksoi se ky takim dëshmon përkushtimin e përbashkët të të gjitha palëve me qëllim që të kemi një proces transparent dhe të qëndrueshëm.

Në këtë takim nga Komisioni Teknik u prezantua Raportin i ri-vlerësimit të performancës komunale 2019, i cili pas diskutimit të përbashkët nga të pranishmit u aprovua në parim nga Komisioni i Grantit të Përformancës.

Pas aprovimit në parim të raportit të gjitha Komunat do të njoftohen me rezultatet e tyre, ndaj të cilave mund të parashtrojnë ankesë brenda 7 ditëve.Me përmbylljen e këtij procesi, do të nënshkruhen marrëveshjet e Mirëkuptimit me Komunat përfituese në vlerë të përgjithshme 4,350,000. Euro, për projekte kapitale në dobi të qytetarëve.

/RTV-Okarina/