Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për 30 ditë kishte përcaktuar çmimin tavan për çdo 24 orë për karburantet.
Por, nga sot nuk do të ketë çmim tavan për derivatet e naftës.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Ai thotë se çmimi tavan i ka sjellë pikat e karburantit buzë falimentimit.
“Çmimet sot sillen: Dizel 1.68, benzina 1.53. Çmimi të cilin e ka diktuar Ministria, çmimi tavan i ka sjellë pikat e karburantit buzë falimentimit dhe të gjitha pikat me pakicë kanë punuar me humbje”, thotë Berjani.
Sipas tij, çmimi duhet të përcaktohet nga berza.
“Kosova është treg i hapur dhe liberal, jemi shteti më i vogël në botë, me më së shumti pika karburanti. Çmimin e përcakton berza dhe duhet të respektohet çmimi në berzë dhe te ne të reflektojë”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Berjani thekson se ka pasur rënie të derivateve në berzë dhe rrjedhimisht edhe në Kosovë.
“Tërë javën e kaluar ka pasur rënie të derivateve në berzë dhe kemi pasur rënie të çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe te ne në Kosovë. Dhe trendi është në rënie të çmimit”, deklaron Fadil Berjani.