Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, ka kërkuar njohjen e Kosovës nga Greqia.
Këtë kërkesë ai e ka bërë gjatë takimit të cilin e kishte me Heleni Vakali, udhëheqëse e zyrës ndërlidhëse së Athinës në Kosovë.
“Myftiu Tërnava e njohu mysafiren me historikun, punët dhe aktivitetet që i zhvillon institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës”, thuhet në njoftimin e BIK-ut. “Ai tha se BIK-u vazhdimisht ka luajtur një rol kyç në mbarëvajtjen e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në vend. Myftiu Tërnava kërkoi nga ambasadorja Vakali një angazhim më permanent për njohjen sa më parë të pavarësisë së Kosovës nga shteti i Greqisë”.
Sipas njoftimit të BIK-ut, “Vakali, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për angazhimin e tij dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës që në Kosovë të mbretërojë një frymë paqeje e harmonie ndërmjet qytetarëve të vendit pa dallim feje a kombësie”.
“Meqë jemi në prag të festës së Kurban-Bajramit, ambasadorja Vakali uroi Myftiun Tërnava dhe gjithë besimtarët myslimanë për këtë festë”, mbaron njoftimi.