Murati tregon se si do të mbështeten me 100 euro punëtorët që nuk janë të regjistruar

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se si do të mbështeten me 100 euro shtesë punëtorët të cilët nuk janë të regjistruar.

Ai, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se do të shqyrtojnë periudhën shkurt dhe mars për të identifikuar nëse këta punëtorë janë të regjistruar për afat të shkurtër apo jo.

“Tash, faza që duhet merret parasysh për të vlerësuar se kush ka qenë i punësuar për të parandaluar ndonjë regjistrim pas afatit, konsideroj se do të jetë muaji shkurt, afati për deklarimin e të cilit ka qenë në muajin mars, për muajin mars ende nuk është mbyllur afati dhe mund të ketë pastaj shtim”.

“Por, çka konsiderojmë se mund të bëjmë si qeveri në kuadër të formalizimit dhe nxitjes për formalizim është që punëtorët të cilët deklarohen për periudhën tatimore të muajit mars t’u japim një mundësi edhe atyre punëdhënësve dhe atyre punëtorëve, ta zëmë se në rast se vazhdojnë të jenë të formalizuar, pra të mos jetë diçka një regjistrim vetëm për një muaj, vetëm sa për të përfituar nga subvencioni por vazhdojnë të jenë të formalizuar, besoj se do të mund t’i shikojmë se a do të jenë për tre muaj të regjistruar për t’i mbështetur edhe ata punëtorë”,ka thënë Murati