Mjekët paralajmërojnë protestë, shtesat janë qesharake dhe ofenduese

 

Kryetari i Federatës së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, njoftoi se sot nga ora 11:00 do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë për t’i shpalosur kërkesat e tyre.

I intervistuar në Klan Kosova ai u shpreh se nuk e kanë dashur këtë, por siç tha, i ka shtyrë injoranca dhe ofendimi i skajshëm që i është bërë punëtorëve shëndetësorë.

“Askush më nuk kujdeset apo interesohet për ne dhe sot jemi të shtyrë ta mbajmë një protestë simbolike që t’i tregojmë kërkesat tona. Ne kërkojmë vetëm zbatime të ligjeve që i ka aprovuar vet Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës dhe janë ligje të domosdoshme për vazhdimësinë e punës së punëtorit shëndetësor”.

“Në protestë do të jenë vetëm anëtarët e federatës dhe jo më shumë, duke e pasur parasysh situatën me pandeminë, që t’ia shpjegojmë ministrit dhe opinionit që qe pesë muaj ministri Vitia nuk e ka parë të arsyeshme të takohet asnjëherë me ne”.

“Madje në asnjë mbledhje të qeverisë ai nuk i ka adresuar hallet e punëtorëve shëndetësorë, por veç ia ka bërë amin-in kryeministrit të vet”.

Syla po ashtu u shpreh se mes tyre dhe ministrit mungon dialogu social, pra biseda në tavolinë me të për të diskutuar lidhur me çështjet e ndryshme që e preokupojnë këtë kategori.

 

 

“Në qeverinë aktuale mungon dialogu social. Vitia i është shmangur. Madje vizitat i ka bërë diku në mbrëmje ose pasdite kur s’ka pasur punëtorë dhe në çfarëdo forme i ka ikur kontaktit, pra dialogu social është zero”.

Shtesat që i janë ndarë punëtorëve shëndetësorë ai i quajti qesharake dhe ofenduese, si dhe që ata po injorohen si komunitet.

“Nuk ndihem mirë që sot duhet të dal për të protestuar me mantel të bardhë. Por prej 24 prillit i kam shkruar të gjitha instancave. Ne po kërkojmë zbatueshmërinë e ligjit, ndërsa qeveria e presidenca refuzojnë takime”.

“Nuk ka pasur javë që s’kemi bërë kërkesa që të mos marrim veprime sindikale si këto sot, por është fundi kur katër muaj i trokitni e i kërkoni dhe në fund të injorojnë. Është injorancë e skajshme”, përfundoi Syla.