Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet trajnimin për votim përmes alfabetit Braille

Më 12 shkurt 2021, Misioni i OSBE-së përfundoi një seri prej pesë punëtorish me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës (SHVK) për të mbështetur votuesit e verbër dhe me shikim të dobësuar që të votojnë në mënyrë të pavarur në zgjedhjet parlamentare.

Në këto punëtori u trajnuan rreth 1,300 votues të verbër dhe me shikim të dobësuar se si të votojnë përmes modelit të Braille-it, i siguruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Votimi është një nga instrumentet e llogaridhënies në duart e njerëzve. Në një shoqëri demokratike, votimi është edh  përgjegjësi. Prandaj, duhet të ekzistojnë të gjitha kushtet për t’i mundësuar çdo personi në listën e votuesve që të hedhë votën e tij ose të saj, në mënyrë të pavarur dhe private”, u tha pjesëmarrësve të punëtorisë në Prishtinë, Kilian Wahl, ushtrues i detyrës së shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Ne të gjithë duhet të mbajmë mend se çdo votë është e barabartë dhe çdo votë llogaritet. Prandaj, ju mund të bëni ndryshim,” shtoi Wahl.

Punëtoritë u mbajtën nga trajnues të degëve të SHVK-së në mbarë Kosovën.