Ministria e Bujqësisë ekzekuton 9 milionë euro subvencione për fermerët

 

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci ka njoftuar sot se ka filluar ekzekutimi i pagesave të subvencioneve (kësti i dytë).

Pas marrjes së opinionit ligjor nga Zyra e Kryeministrit, Ministrisë së Financave, të Punës dhe Transfereve dhe themelimit të Task Forcës nga Ministri Faton Peci, ka filluar procesi i pagesës së subvencioneve të dyta.

 

 

Për fermerët dhe opinionin rikujtojmë se procesi i shpërndarjes së subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë ka qenë një proces shumë delikat sepse përfituesit në të kaluarën janë njoftuar pa mbulesë financiare.

Njëkohësisht mënyra e shpërndarjes së subvencioneve në të kaluarën është aktualisht objekt i hetimeve nga organet e rendit. Si rrjedhojë e kësaj, cdo veprim i ndërmarrë ka paraqitur domosdoshmërinë e marrjes së opinioneve ligjore deri në sigurimin e mjeteve si dhe bashkëpunimin e duhur me organet e rendit si garancë e mos dëmtimit të procesit.

Task Forca e themeluar nga Ministri Faton Peci ka për mandat shqyrtimin dhe verifikimin e secilës lëndë e cila gjindet në procedurë të realizimit të pagesave në pajtim me kriteret dhe procedurat e përcaktuara me Udhëzim Administrativ.