Ministri i ri i Shëndetësisë: Do të angazhohem me gjithë qenien

 

Ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë, Rifat Latifi, e ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti që ia ka besuar këtë detyrë derisa ka dhënë edhe zotimet e tij të para në këtë post.

Ai, në konferencën e parë për media si ministër i Shëndetësisë, tha se synon që të përmirësojë standardet mjekësore në vend si dhe të bëjë kthimin e mjekëve dhe personelit shëndetësor të larguar nga Kosova.

“Unë premtoj se ekipi im dhe unë do të angazhohemi me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate t’i ngrisim standardet mjekësore duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjitha specializimeve dhe ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve njerëzore për hulumtime shkencore si për mjekët ashtu edhe për infermierët dhe të gjithë punëtorët e tjerë shëndetësorë”.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore ne investojmë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhurat prej këtyre shërbimeve ne riinvestojmë sërish në kualitet. Ky proces do të ketë dy rëndësi të mëdha për Kosovën –  duke i ofruar mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësorë ngritje profesionale, ardhmëri shkencore dhe kënaqësi profesionale do ta ndërpresim largimin e trurit mjekësor dhe shkencor të Kosovës në vende të tjera të Europës dhe më tej. Për më tepër nëse e rregullojmë shtëpinë tonë do ta mundësojmë kthimin e trurit të larguar deri më tash në mënyrë që të bëhet pjesë e procesit të ngritjes së standardeve mjekësore”.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova do ta ndërpresim edhe largimin e pacientëve tanë për në vendet në rajon ose më larg dhe këtë investim shtetëror dhe individual që bëhet nëpër spitale të huaja e kthejmë në investim në shtëpinë tonë dhe modernizojmë spitalet tona. Do të jetë qartë që pacientët tanë do të rrinë në shtëpinë tonë në Kosovë për shkak se ne do të kemi ekspertët tanë”.

“I gjithë ky proces do të zgjasë, por duhet të fillojmë strategjinë 20 apo 30 vjeçare. Në këtë rrugëtim duhet të updatohemi për të rejat e mjekësisë si dhe t’i njohim ato vetë, si dhe të udhëheqim disa nga to me hulumtimet tona shkencore dhe mjekësore”.

Latifi ka deklaruar se rezultatet nuk do të shihen brenda ditës dhe se platforma e tij kërkon investim dhe përkrahje shtetërore e legjislative për ta realizuar.

 

\RTV-Okarina\