Serie A ka zhvilluar dhe xhiron e tretë këtë fundjavë, përveç ndeshjes Bologna – Verona e cila zhvillohet sonte nga ora 20:45.
Milan, Roma e Napoli vazhdojnë me fitore, Inter ndalet në barazim, kurse Juventusi u mposht nga Napoli.
Napoli 2-1 Juventus
Juventusi i Allegrit udhëtoi në Napoli me disa mungesa të rëndësishme në formacionin bazë, kjo ndikoi dhe në paraqitjen e bardhezinjëve të cilët nuk po gjejnë rrugën deri tek fitorja.
Golin e parë e realizuan ”Bianconerët” në minutën e 10-të me sulmuesin spanjoll Alvaro Morata. Napoletanët u përgjigjën me Politanon në minutën e 57-të, kurse mbrojtësi Koulibaly shënoi golin e fitores për vendasit në minutën e 85-të.
Ac Milan 2-0 Lazio
Milan e ka nisur në mënyrë fantastike sezonin në Serie A dhe këtë formë të mirë duhet ta dëshmojë në këtë javë ku pasi kaloi me sukses Lazion do të përballet me Liverpoolin në Champions League dhe në fundjavë me Juventusin.
Në ”San Siro” Milan kontrolloi ndeshjen dhe nuk e lejoi Lazion që të bënte gjëra të mëdha.
Leao hapi serinë e golave në minutën e 45-të, kurse në minutën e 5-të shtesë të kësaj pjese, Kessie e humbi një penallti, të cilën e fitoi po vet.
I ri-kthyeri pas lëndimit Zlatan Ibrahimovic shënoi golin e fitores në minutën e 67-të pas asistimit të dytë në ndeshje të Ante Rebic.
Sampdoria 2-2 Inter
Në stadiumin ”Luigi Ferraris” u realizuan katër gola, por nuk kishte fitues.
Golat për vendasit u realizuan nga Maya Yoshida në minutën e 32-të dhe Tommaso Augello realizoi në të 47-tën. Për musafirët shënuan Dimarco në minutën e 18-të dhe Lautaro Martinez në të 44-tën.
Roma 2-1 Sassuolo
Roma e Mourinhos po vazhdon të fitoj në këtë fillim të sezonit, por kësaj radhe me shumë mund.
Golin e parë në ndeshje e realizuan vendasit me anë të Bryan Cristantes i cili shfrytëzoi asistimin e Pellegrinit në minutën e 37-të.
Musafirët barazuan në të 57-tën me golin e Filip Djuricic.
Kurse në minutën e parë të kohës shtesë Stephan El Shaarawy realizoi golin e fitores për verdhekuqtë.
Në ndeshjet tjera u arritën këto rezultate:
Empoli 1-2 Venezia
Atalanta 1-2 Fiorentina
Cagliari 2-3 Genoa
Spezia 0-1 Udinese
Torino 4-0 Salernitana
\RTV-Okarina\