“I zhgënjyer dhe i mërzitur”, ishte shpjegimi që ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë dhe mbështetësi i kahershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, William Walker dha për Albanian Post, i pyetur rreth mendimit të tij për qeverisjen e deritanishme të kryeministrit Albin Kurti.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës “nuk janë më siç kanë qenë në të kaluarën”, shpjegoi Walker, teksa tha se “ka rënie në mirëkuptimin e të dyja palëve”.
Rënie që Kosovës s’guxon t’i ndodhë, “për shkak se janë të rëndësisë së jashtëzakonshme”, pohoi Walker në këtë prononcim ekskluziv për Albanian Post.
“Më lejoni ta shpjegoj zhgënjimin tim. Kam qenë i zhgënjyer, për shembull, që qeverisë së tashme iu desh më shumë se një vit që të vijë në Washington për një vizitë të çfarëdoshme. Mendoj se marrëdhëniet mes Washington-it dhe Prishtinës janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por për atë kohë aq të gjatë, qeveritarët shkuan në Berlin, nëpër kryeqytete të Evropës dhe vende tjera, por nuk erdhën në Washington”, tha ai.
“Provova t’i dërgoj fjalë Albin Kurtit, presidentes [Vjosa] Osmani, që me të vërtetë duhet të vinë në Washington, dhe ta dëshmojnë se e kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Sa për vizitën 14 ditore të Kurtit në ShBA, Walker tha se “u zhgënjeva që në rend të parë s’më kontaktuan fare”.
“Nuk e dija që po vinin, deri më kur ikën, dhe u ndjeva që vizitat e tyre nuk ishin shumë të vlefshme”, shpjegoi më tej William Walker.
“Këto janë mendime personale të mia, jo të bazuara në ndonjë shkencë. Besoj që fjala më e mirë për ta përshkruar këtë është “zhgënjimi”.
Ish-ambasadori Walker, thotë se qysh kohë më parë i ka këshilluar që ta vizitojnë Washingtonin zyrtar, dhe se në rast të vizitës ai do t’i ndihmonte në caktimin e vizitave me zyrtarë amerikanë të cilët do të ishte mirë që Kurti t’i takonte.
“Një vite ose më parë takohesha me anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, që ishin këshilltarë të zotit Kurti. Shpesh u kam thënë që ai duhet të vijë në Washington, dhe kur të vjen, mendoj se janë disa njerëz të caktuar të cilët ai duhet t’i takojë. Dhe më kanë thënë se ‘gjithsesi kur të vjen zoti Kurti në Washington do të të takojmë, që ta dimë se kë mendon ti që ai duhet ta takojë’”.
“Por, kjo nuk ndodhi. Nuk e di, fjala është se jam i zhgënjyer. Nëse themi diçka përtej kësaj, do ta vija në dyshim. Mendoj se marrëdhënia me Washington-in nuk është më siç ka qenë në të kaluarën. Mendoj se ka ndodhur një rënie të mirëkuptimit të ndërsjellë, në të dyja palët”, thotë Walker.
“Kryeministri duke mos ardhur më herët në Washington, tregoi se e ka keqkuptuar rëndësinë e marrëdhënieve [Washington-Prishtinë], dhe mendoj se fakti që Shtëpia e Bardhë në Washington, nuk ishin në gjendje ta prisnin, tregoi se edhe ata nuk e kuptojnë rëndësinë e marrëdhënieve. Pra, kështu mendoj, nuk është vetëm zhgënjim, jam ca edhe i mërzitur që situata e tanishme nuk është aq e mirë sa do të duhej të ishte”, thotë ai.
Njëjtë siç ka rënie në raportet SHBA – Kosovë, Walker pohon se ka edhe mes tij e Vetëvendosjes, lëvizjen që dikur e përkrahu pakushte.
“Për mua është çështje personale, besoj se kam shumë mbështetës për Vetëvendosjen, pesë ose gjashtë vite më parë, kur sa po bëheshin lëvizje politike, parti politike. Mendoj se kam bërë shumë që t’u ndihmojë, që ta marrin dritën/qendrën e skenës politike”.
“Dhe siç thash, nuk kam folur me Albin Kurti qe disa vite, përveç se për disa minuta kur po flisja me njerëz në zyrën e tij. Ai doli në një thirrje në Zoom që po mbaja. Pra edhe këtu jam pak i zhgënjyer përsëri, i mërzitur, që Vetëvendosja nuk ka qenë shumë pranuese ndaj zërave të jashtëm ashtu siç do të duhej të ishin”, përfundoi ish-ambasadori Walker.