Mijëra zogj ngordhin për shkak të temperaturave ekstreme

 

Mijëra zogj në jug të Spanjës kanë ngordhur pasi lanë foletë e tyre para kohe, në përpjekje për t’i shpëtuar temperaturave ekstreme, gjatë një prej valëve më të hershme të të nxehtit atje.

Shqetësimet për speciet e mbrojtura u ngritën në fund të javës së kaluar pasi banorët në Sevilje dhe Kordobë vunë re dhjetëra zogj të sapolindur të shtirë nëpër trotuare.

“Do të ecje në rrugë dhe do të kishte 100 zogj të shtrirë, disa ngordhin dhe disa mezi jetojnë”, tha biologia Elena Moreno Portillo e Ecourbe, një shoqatë për mbrojtjen e specieve.

Ecourbe dhe organizata të tjera fajësuan temperaturat ekstreme. Vala më e hershme e të nxehtit në Spanjë në më shumë se 40 vjet, përkoi me sezonin e çeljes së zogjve.

Këta zogj shpesh ndërtojnë foletë e tyre në fasadat e ndërtesave ose në zgavrat e çatisë, duke lënë vetëm një çarje të vogël të hapur nga jashtë.

“Ndërtesat tona zakonisht janë prej betoni ose pllaka metalike dhe këto nxehen shumë. Kështu që bëhet një furrë në foletë e zogjve, të cilët ende nuk mund të fluturojnë, nxitojnë jashtë sepse nuk e durojnë dot temperaturën brenda”, tha Moreno Portillo.

Teksa temperaturat arrijnë në 42 gradë celsius në Sevilje dhe në Kordobë, vullnetarët në të dy qytetet filluan të ndihmonin zogjtë, duke mbledhur sa më shumë zogj të dehidratuar dhe të kequshqyer që mund të gjenin. Më shumë se 400 prej këtyre zogjve u sollën në qendrën shtetërore të rimëkëmbjes për speciet e kërcënuara, me shpresën se do të mbijetojnë.

Në Madrid, qendra e zogjve tha se po trajtonin shumë zogj që kishin tentuar t’i shpëtonin vapës, raporton Guardian.

Teksa temperaturat e verës arrijnë vazhdimisht më herët në gadishull – agjencia shtetërore e motit në Spanjë tha se vera tani fillon 20 deri në 40 ditë më herët se 50 vjet më parë.