Ky vaj ushqimor i përdorur mund të ripërdoret, por jo për gatesa. Një vaj i përdorur mund të grumbullohet e më pas të ripërdoret e të krijohet bionaftë.
Kosova ende nuk e ka ndonjë kompani që e riciklon vajin e përdorur ushqimor, ndërsa përmes disa pikave grumbulluese ky vaj arrin të depërtojë në vendet e Evropës.
Edona Demaj dhe Vlora Gegollaj janë dy sipërmarrëse që drejtojnë dy kompani të suksesshme për grumbullimin e vajit ushqimor, i cili më pas arrin në tregun evropian për t’u ricikluar e për t’u përdorur si bionaftë.
Pronarja e kompanisë ‘ECO KOS’, Edona Demaj ka teeguar se si kompania bën grumbullimin dhe filtrimin fillestar të vajit e që më pas këtë vaj të filtruar e nisin drejt Maqedonisë së Veriut për të përfunduar në Austri që të shndërrohet në bionaftë.
Demaj ka thënë se ky biznes përveç që e parandalon degradimin e ambientit është edhe fitimprurës. Gjithashtu Demaj ka treguar se kompania kompenson klientët për vajin që e grumbullojnë.
“Ideja e biznesit ka qenë fillimisht ruajtja e ambientit, kjo është edhe qëllimi kryesor i këtij biznesi sepse ky vaj është njëri ndër katër ndotësit më të mëdhenj të ambientit. Ky vaj është hedhur në kanalizime e në vende joadekuate dhe pastaj kemi fillu me i pajise me bure adekuate për grumbullim të vajit mbeturinë. Ne aktualisht kemi mbi 900 klientë nga të cilët e grumbullojmë vajin”, ka thënë Demaj.
Po ashtu, Demaj ka thënë se brenda një muaji kompania ‘ECO KOS’ arrin të eksportojë deri në 60 tonë.
Edhe Vlora Gegollaj që menaxhon kompaninë ‘Oleum’ ka treguar për KALLXO.com rreth procesit të grumbullimit të vajit e trajtimit të tij.
Sipas Gegollajt, ky biznes është fitimprurës, ndërsa i ndihmon edhe shërbimet e gastronomisë në mënyrë që të mos e hedhin vajin në vende joadekuate.
Edhe kompamia ‘Oleum’, njëjtë sikur ajo ‘ECO KOS’ kompensojnë klientët në bazë të litrave të grumbulluar.
Çmimi që marrin kompanitë për një litër vaj të grumbulluar sillet rreth 40 centë.
Gegollaj gjithashtu ka treguar se aktualisht kompania ‘Oleum’ ka afro 2 mijë klientë të rregullt nga të cilët e grumbullon vajin e që më pas e dërgon në Francë.
“Duke parë që ky vaj është shumë i dëmshëm për ambientin, kemi vendosur të sjellim praktikën e vendeve të tjera në Kosovë. Vajin pasi e marrim nga klienti, e filtrojmë fillimisht, pastaj kalon disa procedura fillestare të pastrimit. I mbushim buret një tonëshe edhe e eksportojmë. Ne kemi bashkëpunim me kompani në Holandë, Francë edhe Belgjikë. Së fundmi kompania ‘Oleum’ ka filluar operimin edhe në Belgjikë”, është shpreshur Gegollaj.
Gegollaj shton se sfidat kanë qenë të mëdha për shkak se ky biznes është i ri në Kosovë e qytetarët ende nuk kanë informacione rreth grumbullimit të vajit të përdorur.
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) , “derdhjet e yndyrave shtazore dhe vajrave bimore kanë të njëjtat ose të ngjashme ndikime shkatërruese në mjedisin ujor si vajrat e naftës”.
Edhe sipas Agjencisë Amerikane për mbrojtjen e ambientit, vaji i gatimit që hidhet shkakton telashe për kafshët, bimët por edhe në shumë raste në sistemet e kanalizimeve.
Sipas kësaj agjencie, vaji i hedhur në vendet jo adekuate, mund të mbulojë bimët duke mos lejuar depërtimin e oksigjenit.
“Vaji mund të prodhojë produkte toksike si dhe produkte që mbesin dhe shkaktojnë dëme afatgjate në ambient”, thuhet në studimin e agjencisë.
Kjo agjenci ka theksuar edhe dëmet e përditshme që u shkaktohen gypave dhe sistemeve të kanalizimit, kur vaji derdhet në to. Kjo pasi vaji pas ftohjes forcohet dhe bllokon gypat.
Një studim nga organizata jofitimprurëse holandeze CE Delft, thotë që 18.5 për qind e bio-dieselit të prodhuar në shtetet e Bashkimit Evropian, prodhohet nga vaji i përdorur i gatimit.
Sipas këtij studimi, në vitin 2018, afërsisht gjysma e vajit të përdorur të gatimit u eksportua nga shtetet e tjera drejt shteteve të BE-së.
Çdo 1000 litra vaj gatimi të përdorur prodhon rreth 950 litra bionaftë. Për të prodhuar bionaftë përdoren disa metoda. Metoda më e zakonshme përfshin dorëzimin e vajit në një proces kimik të njohur si transesterifikimi. Produkti përfundimtar është bionaftë dhe glicerina si nënprodukt. Ndërsa bionaftë përdoret si lëndë djegëse për makina, autobusë, kamionë, autobusë dhe madje edhe aeroplanë, glicerina mund të përdoret për prodhimin e sapunit.
Rudolf Diesel, njeriu që i dha emrin motorit me naftë, filloi të eksperimentonte me vajin e gatimit si burim karburanti në vitin 1898.
Mundësia e karburantit që rrjedh nga vaji i gatimit nuk u zbeh kurrë. Kërkesat në rritje për karburant gjatë Luftës së Dytë Botërore panë një interes të ripërtërirë për alternativat e naftës, siç bëri kriza e naftës e viteve 1970. Në të njëjtën kohë, ndërsa shkencëtarët mësuan më shumë për ndikimin e vërtetë të lëndëve djegëse fosile, u bë e qartë se burimet më të pastra dhe më të gjelbra të energjisë mund të ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit tonë për brezat e ardhshëm.
Në Portugali, ka një lloj kosh riciklimi të krijuar posaçërisht për të mbledhur vajin e përdorur të gatimit. Këto quhen ‘Oleões’ nga fjala portugeze për vaj – óleo dhe janë të vendosura nëpër hapësira të qasshme për të gjithë ata që duan të grumbullojnë vajin.
Ministria e Mjedisit në Kosovë nuk ka dhënë informacione mbi sasinë e vajit ushqimor që eksportohet e as se sa vaj del nga përdorimi.
Nga inspektorati ministror vetëm gjatë vitit 2019 ka shqiptuar afër 200 gjoba për hedhje të vajrave në vendet joadekuate.
Në vitin 2013 është miratuar Udhëzimit Administrativ për Menaxhimin e Vajrave të Përdorura dhe Mbeturinave me Vajra, kurse Ligji për Mbeturinat është mjaft i ashpër me gjoba.
Projekti “Përdorimi i mediave për të rritur vetëdijen lidhur me shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë” është pjesë e “Dig Data Challenge” e mbështetur nga Millennium Foundation Kosovo (MFK) dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), si pjesë e Dig Data Challenge për të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Projekti implementohet nga Internews Kosova.