Hisni Mehani ka reaguar ndaj pushtetit të Fadil Nures dhe Sami Lushtakut, ai ndër të tjerash ka reaguar në facebook
“Sami Lushtaku e Fadil Nura, kanë vendosur ta çojnë Komunën e Skënderajt në gjykatë, ta dënojnë atë, të paguajnë edhe dënimin cilido qoftë ai; me kushtin e vetëm që të mos lejojnë hyrjen time në KPF.
Çka po tutëni o pusa. – do thoshte B.B dosti i tyre! A i keni mbi 50%? Çka po tutëni?
Janë mësuar të qeverisin pa opozitë dhe pa kritikë. Këtë që po duan ta paraqesin si luftë kundër meje dhe VETËVENDOSJE!’s! Në fakt, është luftë kundër mendimit ndryshe dhe kujtdo që guxon me mendu ndryshe.
Skënderaj është qyteti që sidomos nga viti 1997 e këndej, gjithçka sillet rreth tij, por asgjë nuk hyn në të! Asnjë investim serioz! Asnjë projekt i madh. Asgjë e bukur! Pos disa ndërtesave të shëmtuara që ia ndalin diellin njëra-tjetrës, pa asnjë kriter të urbanizimit!
Ende qytetarët e Skënderajt migrojnë në qytete tjera, shumica në Fushë Kosovë e Prishtinë, për të gjetur një vend pune në markete.
Si ka mundësi që një qytet i cili kishte me miliona vizitorë ndër vite, falë “Kompleksit Memorial Adem Jashari”, nuk u ofron këtyre vizitorëve një hapësirë ku ata të qendrojnë për disa orë tjera, të mësojnë për historinë e këtij qyteti, të shfrytëzojnë bukuritë natyrore të këtij qyteti, por edhe ta ndihmojnë ekonominë e këtij qyteti!
Si ka mundësi që vizitorët vijnë dhe në mungesë të vendeve ku të qendrojnë për disa orë, dalin në qytete tjera pa e pirë as edhe një kafe në Skënderaj!
Si ka mundësi që nga paslufta në këtë qytet u ndanë 3 a 4 parcela për “Parkun të Biznesit” por të gjitha dështuan sepse çdo herë kishte një vegëz mbrapa.
Si ka mundësi që ky qytet nuk ka as stacion të autobusëve, e as minimumin e trafikut publik të organizuar për qytetarët e tij.
Pse pushtetarët e këtij qyteti duan të ngjiten në banesa të llojit “Pent House” për të parë nga lart këtë qytet për të cilin nuk kanë bërë bash asgjë, porse ky qytet iu ka dhënë gjithçka që ata kanë. Harrova! Këta pushtetarë qytetit i kanë dhënë asfalt, në këmbim vetes i kanë dhënë tenderë!
Me pak fjalë, problemi i këtij qyteti nuk jemi unë dhe as këshilltarja Floriana Halili, as VETËVENDOSJA!. Problemi i këtij qyteti janë ata që kanë frikë nga mendimi ndryshe, nga demokracia dhe nga llogaridhënia!
Po të ishte puna për të hyrë unë në KPF, as edhe një shkronjë nuk do ta shkruaja. Por këtu po luftohet e drejta me guxu me mendu ndryshe, të drejtë të cilën kurrsesi nuk bën ta humbim!
Dhe më vie keq, që një qytet i cili ka dhënë maksimumin për lirinë dhe çlirimin e vendit, ende lëngon në kërkesa në minimumin e të drejtave për veten”