Mehaj takohet me Escobarin, flasin për të arriturat dhe vizionin e FSK-së

 

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj po qëndron në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe u takua me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherazi të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

 

Mehaj njoftoi Escobarin për vizionin dhe qëllimet e tij strategjike dhe prioritetet e Qeverisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, për çka mori edhe mbështetjen e tij. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar për medie nga kjo ministri.

 

Në këtë takim thuhet se Mehaj e Escobar u pajtuan se të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vizioni për të ardhmen janë në funksion të plotë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit rajonal dhe më gjerë.

 

“Po ashtu, në këtë takim është ri-konfirmuar që partneriteti në mes të Kosovës dhe SHBA-së është çdoherë e më i fortë sepse bazohet në vlerat e përbashkëta të dy vendeve dhe u theksua nevoja për gjetjen e formave tjera për ta thelluar akoma më shumë bashkëpunimin në mes të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

 

Meahj e Escobar kanë diskutuar edhe për sfidat aktuale dhe ato të ardhshme në mjedisin e sigurisë dhe format efektive të menaxhimit të tyre.

 

“Ministri Mehaj dhe z. Escobar diskutuan edhe sfidat aktuale dhe ato të ardhshme potenciale të mjedisit të sigurisë, si dhe format më efektive të menaxhimit të tyre me konstatimin e përbashkët se shumë e rëndësishme është siguria bashkëpunuese nga të gjithë. Në fund të këtij takimi, z. Escobar e falënderoi ministrin Mehaj dhe e përgëzoi Kosovën për mbështetjen e ofruar misionit të NATO-së në evakuimin e refugjatëve nga Afganistani si dhe e theksoi që FSK-ja ka shënuar arritje domethënëse me bashkë-zbarkim me ushtrinë e SHBA-së. Gjatë ekspozitës “AUSA 2021”, ministri Mehaj ka takuar udhëheqësit e disa kompanive amerikane shumë të fuqishme të industrisë së mbrojtjes. Nga ta u njoftua me sistemet më të avancuara dhe tejet kompatibile me doktrinën tonë ushtarake si dhe shumë efektive për përmbushjen e suksesshme të detyrave tona operacionale dhe taktike”, vazhdon komunikata.

Tutje thuhet se “Ekspozita ushtarake vjetore “AUSA 2021” sikur nga nikoqiri, njëherazi Presidenti i Shoqatës së Ushtrisë Amerikane, gjeneral Robert Broën, gjithashtu edhe nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjeneral James C. McConvile, u vlerësua shumë e suksesshme. Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje të thellë për Presidentin e AUSA, gjeneral Broën për ftesën, mikpritjen dhe këtë mundësi të veçantë. Më tej, në vazhdën e takimeve të shumta në SHBA, ministri Mehaj takoi Presidentin e Shoqatës së Biznesit SHBA- Evropë Qendrore (The American-Central European Business Association – ACEBA), z. Eric Steëart dhe delegacionin e tij. Nga z. Steëart ai u njoftua më hollësisht me angazhimet dhe qëllimet strategjike të Shoqatës dhe diskutimin e ndërlidhjes së tyre me objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes rreth programeve, politikave dhe strategjive të sigurisë dhe mbrojtjes”.

 

\RTV-Okarina\