Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet ushtarëve rezervë të Kosovës dhe Shqipërisë

Shoqata e Ushtarakëve Rezervë të Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve Rezervë të Shqipërisë.
 
Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës, nënkolonel Prindon Sadriu dhe presidenti i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve Rezervë të Shqipërisë, kolonel Thoma Konduri, nënshkruan Marrëveshje të Bashkëpunimit mes dy shoqatave.

Në njoftim thuhet se dy palët u dakorduan që të thellojnë më tej bashkëpunimin në mes tyre, me qëllim të ngritjes së gatishmërisë dhe kapaciteteve të forcave rezervë, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me synimin final anëtarësimin e Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës në Konfederatën Ndëraleate të Oficerëve Rezervë (CIOR), me seli në Bruksel.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, nënkolonel Sadriu falënderoi homologun e tij për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe për kontributin e dhënë për krijimin e urave të komunikimit me CIOR.

Gjithashtu, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, delegacioni i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës zhvilloi takim të ndarë me zëvendësministren e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Dallëndyshe Bici.

Në këtë takim, zëvendësministrja Bici, e njoftoi delegacionin nga Kosova për angazhimin dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes për rezervën e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe vëllazëror mes dy shoqatave të oficerëve rezervë si dhe ofroi mbështetjen e saj për aktivitetet e përbashkëta dhe ato brenda CIOR-it.

Në përfundim të vizitës, delegacioni nga Kosova zhvilloi një takim pune në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tiranë, ku u prit nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skender Durmishi, në shoqërim të atasheut tonë të Mbrojtjes, kolonel Bashkim Shillova.

 

\RTV-Okarina\