Lumi i Shales është një destinacion turistik që përshkruhet nga vizitorët si perla e bukurive të Komanit. Cilësohet edhe si Tajlanda e Shqipërisë. Që ta besoni këtë duhet të shkoni vet e të shikoni me sy aty ku Shala përqafohet me Drinin, tashmë liqeni i Komanit.
Ngjyra e kaltër e ujit dhe kthjellesia e tij është karakteristikë e këtij lumi. Shkëmbinjtë e thepisur, të veshur nga pemë e bimë të gjelbra duket sikur ngrihen drejt qiellit. Sikur e mbrojnë këtë bukuri që natyra aq bujare ka ofruar për sytë tanë. Çfarë ofron lumi i Shalës nuk mund të përshkruhet dot me fjalë. Për këtë arsye ju rekomandojmë të bëheni gati e të niseni drejt Shalës për të shiijuar shetitje me varka apo edhe kampingun që mund ta bëni aty. Ne jemi të bindur se ky do të jetë një nga ato udhëtime që nuk do t’i harroni asnjëherë!
Kaltërsi që ju rrëmben
Lumi i Shales ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Dri. Ai buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, dërisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Dri. Është lumë malor me rënie mesatare 22 metra në një kilometër.
Lumi Shala dallohet me ujin e tij të kristaltë, me prurje mesatare vjetore, afro 34 m³/sek. Prurjet maksimale arrijnë në nëntor me 52m3/sek, ndërsa prurje minimale në gusht në të cilin arrin 9m³/sek. Lumi i Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish. Mirëpo në këtë lum mund të themi se më i përhapuri është trofta, që rritet vetëm në ujrat e ëmbla. Megjithatë, trofta nuk është i vetmi peshkë që mund të gjindet në këto ujëra. Për më shumë informata, pyesni dhe bisedoni me vendasit e atyre anëve.
Streha e princit Lekë Dukagjini te lumi i Shales
Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë. Atje gjen edhe sot emërtime të tij, si për shembull ‘Guri i Lekës’, një pikë strategjike që sheh luginën. Nga aty mendohet që Lekë Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.
Kurse sot aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të bësh dhe banjo dielli. Ata më aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale. Rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.
Nëse jeni natyrë eksploruese, te ky vend që duket si i dalë nga përrallat, ju do të zbuloni jo vetëm bukuri natyrore. Mirëpo edhe pasuri shpirtërore që do ta pasurojnë shpirtin tuaj.