Lulzim Basha jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PD-së

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Basha të hënën në mbledhjen e përbashkët të kryesisë, grupit parlamentar dhe kolegjit të kryetarëve të PD-së, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje për shkak të krizës që po përjeton Partia Demokratike.

Duke e cilësuar si vendimin më të vështirë politik, ai thotë se ka vendosur të hedh një hap pas duke u tërhequr nga detyra e kryetarit të PD-së, me qëllim për të ndihmuar ringritjen e demokratëve dhe Partisë Demokratike.

“Kjo nuk është tërheqje për rehati personale, por një nxitje që betejën për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje dhe gënjeshtër se kjo që ka ndodhur për gjashtë muaj është bërë për karrigen e kryetarit”, ka thënë Basha.

Tutje, ai ka deklaruar se do të vazhdoj të punoj me përkushtim për ringritjen e Partisë Demokratike rreth vlerave dhe parimeve si demokrat.