Nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, nuk e mohoi mundësinë se Kosova mund të hyjë në krizë energjetike.
Llumnica tha për Ekonomia Online se duke parë krizën energjetike në rajon, ka mundësi që KEDS-i të ketë probleme me furnizim me energji elektrike.
“Ne si Korporatë Energjetike e Kosovës, unë si përfaqësues e kam parë që Koorporata ka kapacitete të mjaftueshme aq sa i ka pasur gjithmonë edhe pse furnizimi me energji elektrike e ka obligim KEDS-i mirëpo ne do të prodhojmë maksimalisht siç kemi prodhuar edhe më herët dhe si puntorë jemi të zotuar që prodhimin e energjisë elektrike ta vazhdojmë me angazhim maksimal”.
Ai thotë se kjo situatë mundet të evitohet nëse Qeveria e Kosovës e rishikon kontratën me KEDS-in.
“Duke i parë rrethanat tash të krizës rajonale të energjisë elektrike ka mundësi që KEDS-i mos të furnizojë qytetarët me energji elektrike për arsye se ne kemi parë disa herë kur edhe vet KEK-u nuk ka prodhuar dhe qytetarët e Kosovës kanë pasur reduktime të jashtëzakonshme dhe kjo mundet mos me ndodh në rast se Qeveria e Kosovës e rishikon kontratën me KEDS-in sepse vetëm të bashkuar me Elektrokosovën mund t’ia dalim kësaj krizë energjetike”.
“Po këtu është problemi sepse KEK-u ka një çmim shumë simbolik të energjisë elektrike. Ndërsa KEDS-i si operator ekonomik ka fituar pothuajse gjysmën e profitit apo më shumë tek prodhuesit dhe ka bërë shumë shkelje të tjera, andaj për këtë them që përballimi shumë më i lehtë do të jetë nëse Elektrokosova i kthehet KEK-ut”.
Si përfundim Llumnica tha se duhet shfrytëzuar të gjitha kapacitetet natyrore dhe resurse tjera që të mos kemi krizë energjetike.
“Realisht ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet natyrore dhe resurset tjera që të mos kemi krizë energjetike. Pa energji elektrike nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka shëndetësi, nuk ka arsim, nuk ka shëndetësi e as zhvillim të gjithanshëm”, përfundoi ai.
\RTV-Okarina