Lladrovci pret në takim Bashotën: Krenar me të kaluarën tonë!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim, bashkëveprimtarin dhe bashkëluftëtarin e tij, ish kryetarin e komunës së Klinës, Sokol Bashotën.

Lladrovci ka shkruar se “kapitulli i veçantë për të cilin folëm me krenari është e kaluara jonë e përbashkët. E kaluar krenare që filloi në rininë tonë të hershme, me organizimin antijugosllav, armët e para dhe sulmet ndaj okupatorit deri në çlirimin e vendit. Folëm për kohën që krijoi epokë, kohë që kurorëzoi përkushtimin atdhetar njëshekullor kundër okupatorit serb”.

Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:

Vizita e sotme e Sokol Bashotës, ishte e mirëseardhur, me ç’rast diskutuam për sfidat e pushtetit lokal, të arriturat dhe sfidat.
Kapitulli i veçantë për të cilin folëm me krenari është e kaluara jonë e përbashkët. E kaluar krenare që filloi në rininë tonë të hershme, me organizimin antijugosllav, armët e para dhe sulmet ndaj okupatorit deri në çlirimin e vendit. Folëm për kohën që krijoi epokë, kohë që kurorëzoi përkushtimin atdhetar njëshekullor kundër okupatorit serb.
Jeta jonë, kishte një drejtim, një qëllim, një ideal, çlirimin e vendit. Ky ideal për neve ishte i panegociueshëm, i pandalshëm dhe madhor, në rrugën e nderit, sakrificës, shembullin e komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit dhe UÇK-së.
Përgjithmonë mirënjohës ndaj dëshmorëve dhe martirëve të kombit, familjeve të tyre, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së. Përgjithmonë mirënjohës ndaj kontribuuesve të çlirimit, shtetformimit dhe shtetndërtimit. Puna për jetësimin e idealeve të dëshmorëve tanë për fuqizimin e shtetit dhe shtetësisë, është detyrë e vazhdueshme e përhershme.
Faleminderit Sokol për vizitën dhe bashkëbisedimin!