Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka marrë pjesë në konstituimin e degës së PDK-së për Bavari, me ç’rast ka evokuar ngjarjet e asaj kohe sepse, ai dhe familja e tij kanë jetuar në afërsi të Rosenheimit.
Lladrovci ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar vendin, para, gjatë dhe pas luftës, këtu në Bavari. “Dua të falënderoj të gjithë ata bashkëluftëtarë që jetojnë e punojnë në Bavari, për gjithçka kanë bërë para luftës, gjatë luftës dhe po bëjnë pas luftës”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë:
Sot, në tubimin madhështor të konstituimit të Degës së PDK-së për Bavari, në Rosenheim, mbajta një fjalë rasti, ku mes tjerash theksova si vijon:
Para tridhjetë vjetësh, kur e formuam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me këta burra (Hashim Thaçin e Kadri Veselin), me Ilazin, me Samiun, me Ganiun, me Abedinin, në krye me Adem Jasharin, dhe pas aksioneve të para, na goditi policia serbe. Ne, një grup vendosëm të dalim në perëndim dhe të ndihmojmë shokët tanë për organizimin e luftës, sepse lufta nuk bëhet vetëm me vullnet e me tri a katër pushkë që kishim.
Pasi e vlerësova ndihmën e jashtëzakonshme të çdo mërgimtari, kërkova mobilizim për fuqizimin e PDK-së, gjë që nuk e kam menduar se do të kërkoj mobilizim për fuqizimin e PDK-së në diasporë. Por, këtë e kërkon interesi i vendit.
Me Fehën, Xhevën, Ilazin, Saminë, e shumë e shumë të tjerë me të cilët kemi vepruar këtu, jemi organizuar dhe pas Epopesë së Komandantit legjendar Adem Jasharit, nga këtu, deri tre autobusë janë nisur në ditë për luftën tonë çlirimtare.
Dua të falënderoj të gjithë ata bashkëluftëtarë që jetojnë e punojnë në Bavari, për gjithçka kanë bërë para luftës, gjatë luftës dhe po bëjnë pas luftës!