Lista Serbe e rrit presionin për themelimin e Asociacionit: Ata thanë është detyrim ndërkombëtar

 

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetari Igor Simiq dhe Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, kanë zhvilluar sot një takim me anëtarët e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ata kanë thënë se, Prishtina duhet t’i zbatojë marrëveshjet që tashmë janë nënshkruar. Veçanërisht atë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas Rakiq – ministrit për Kthim dhe Komunitete, themelimi i asociacionit nuk është një tekë e Listës Serbe, por një detyrim ndërkombëtar, përmbushjen e të cilit, sipas Rakiq, e ka garantuar vet Bashkimi Evropian.

Marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen, sepse ato janë nënshkruar, ato obligojnë gjithçka, dhe sepse kjo është mënyra e vetme që ne mund të arrijmë kushte më të mira jetese dhe t’i ndërtojmë njëri-tjetrit besimin që na nevojitet sot”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

Po ashtu në atë takim është diskutuar edhe për operacionet e Njësisë Speciale të Kosovës në veri të vendit, ku u tha se këto veprime janë kundër popullit serb dhe janë të rrezikshme, të papranueshme dhe joproduktive, sepse sipas tyre, shkaktimi i frikës dhe trazirave mund të kërcënojë edhe më tej situatën e sigurisë.

Theksohet se Lista Serbe mbështet dialogun si mënyrë themelore për zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe çështjeve të hapura, sepse dialogu është e vetmja rrugë dhe vendi ku mund të zgjidhen këto çështje dhe kërkon që të gjithë, veçanërisht nga Bashkimi Evropian të bëjnë gjithçka” RTVOKARINA