Përfaqësuesja e Kosovës për femra ka shënuar fitoren e parë në kualifikimet për Botërorin “Australi&Zelandë e Re 2023”.
Kosovaret fituan minimalisht si musafire të Armenisë me rezultat 1-0 falë golit të shënuar nga Liridonë Syla në fundin e ndeshjes.
Në pjesën e parë vashat kosovare luajtën më mirë se kundershtaret, por rastet që kishin nuk arritën t’i konkretizonin në gola dhe kështu pjesa e parë përfundoi baras 0-0.
Edhe në pjesën e dytë ”Dardanet” luajtën më mirë dhe krijuan më shumë raste dhe mundi iu shpërblye.
Në minutën 87′ pas një goditje këndi të ekzekutuar nga Donjeta Halilaj, brenda zonës më së miri u gjend Liridonë Syla, e cila shënoi për rezultatin 0-1, e që në fund doli të ishte goli i fitores.
Pas ndeshjes, Liridonë Syla u shpreh e lumtur dhe për golin e shënuar kishte një dedikim.
”Luajtëm mirë, krijuam shumë raste por para portës nuk u treguam të vëmendshme dhe nuk konkretizuam rastet. Jam e lumtur që shënova dhe i sigurova fitoren Kosovës, e golin e fitores veç Kosovës ia dedikoi edhe babait tim të ndjerë”, deklaroi Syla.
\RTV-Okarina\