Festat e fund vitit po afrohen e bashkë me këtë edhe mos liberalizimi i vizave.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, është premtuar vazhdimisht tash e shumë vite, por vështirë se do të mund të ndodhë edhe në vitin 2022.
Kështu thotë për arbresh.info, Demush Shasha, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Politika Evropiane.
Shasha thotë se pa progres në dialog dhe sundim të ligjit, nuk sheh skenar për liberalizim të vizave.
Sipas tij, edhe gjatë 2022 gjasat janë të vogla për progres, pasi që në Francë do ketë zgjedhje, dhe shpresa e vetme mbetet në fund të 2022 gjatë presidencës së republikës ceke.
“Pa progres në dialog dhe sundim ligjit, nuk shoh skenar për liberalizim vizave. Ne veçanti jo tani në kushte të pandemisë kur të gjitha shtetet po shikojnë se si të parandalojnë lëvizjen e panevojshme të lirë të njerëzve. sa i përket kohës, po patjetër se mund themi se viti 2021 është çështje e mbyllur, përderisa sa i përket 2022-ës gjasat janë të vogla për progres në kuadër te gjashtë muajve të para të 2022-ës, respektivisht presidencës së Francës, në veçanti për shkak se në ketë kohë Francë do ketë zgjedhje, dhe në kohë zgjedhjeve qeveria e Francës do përmbahet nga çfarëdo vendimi, rrjedhimisht kësisoj shpresa mbetet për pjesën e dytë të 2022-ës gjatë presidencës së republikës ceke”, thotë ai.
E, njohësi i çështjes së Integrimeve Evropiane Avni Mazreku, thotë se kjo çështje mbetet problematike, pasi që janë 5 shtete anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën.
Megjithatë, sipas tij, Kosova i ka kaluar të gjitha stadet të cilat do të duhej ti kalonte një shtet.
“Relacionet e Kosovës me Bashkimin Evropian edhe këtë vit janë të njëjta pikërisht për faktin se çështja vendimore brenda strukturave të Bashkimit Evropian për Kosovën, mbetet ende çështje problematike gjithmonë për faktin se janë 5 shtete anëtare të BE të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Prandaj në cilin do rast kur vjen në shprehje marrja e një vendimi për Kosovën ajo çështje thellohet, dhe shndërrohet pavarësisht që mund të jetë si çështja e liberalizimit të vizave që është aktualisht teknike për shkak që Kosova i ka plotësuar te gjithë kriteret, por kur vjen në shprehje marrja e një vendimi politik ajo shndërrohet në një problem më të madh edhe është vet problematike brenda strukturave të Bashkimit Evropian. Kosova i ka kaluar të gjitha stadet të cilat do të duhej ti kalonte një shtet dhe që kanë kaluar edhe shtetet e tjera”, thotë ai.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu, thotë se për Kosovën do të ishte e dëmshme të ndodh liberalizimi, pasi që ka dëshirë të madhe nga qytetarët ta lëshojnë Kosovën.
“Problemi kryesor është dëshira e madhe e qytetarëve të Kosovës ta lëshojnë Kosovën. Vendet e Bashkimit Evropian të cilët e shohin situatën dhe nuk duan të shkaktojnë problem të madh vendit tonë dhe vendeve të veta. Për Kosovën do të ishte e dëmshme të ndodhë liberalizimi pa ndodhë një entuziazëm i cili kish me u jep kosovarëve një shpresë për jetë më të mirë në Kosovë. Me ardhjen e Kurtit në Qeveri është shpresuar se gjerët do të ndryshojnë, por siç po shihet Kurti ka dështuar. Vizat nuk.hiqen pa u krijuar një shpresë për jetë më të mirë në Kosovë, që do të bënte që qytetarët të mos largohen nga Kosova”, thotë ai.
Kujtojmë gjithashtu se çështja e liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2012 por ende s’ka epilog./rtvokarina/