Lëshohet urdhëresë që Adelina Ismaili me motrat e saj të sillen me forcë në gjykatë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk është siguruar sërish pjesëmarrja e dëshmitareve Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës.

Kjo u bë e ditur në seancën e së enjtes nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit, lidhur me dëshmitaret Adelina, Ema dhe Zanfina Ismaili, për të cilat është lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë, sipas një raporti që e ka pranuar gjykata nga Policia e Kosovës, ka qenë e pamundur që të sigurohet prania e tyre në seancë gjyqësore.

Lidhur me mosrealizimin e urdhëresave nga ana e Policisë, për dëshmitaret e lartcekura ka qenë e njohur edhe komandanti i stacionit policor Jugu, po ashtu me parashtresën e datës 13 shtator 2022, nga avokati Alban Makolli, gjykata ka pranuar njoftimin, sipas të cilit, dëshmitaret janë të gatshme dhe do të mund të deklarohen përmes video-linkut.

Në këtë seancë mungoi edhe i dëmtuari Shefqet Riza, i cili sipas gjykatës ka qenë i njoftuar nga seanca e kaluar, por mungesën nuk e ka arsyetuar.