Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se në takimin e kryesisë së kësaj partie sot, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku kanë paraqitur kandidaturat për kryetar të partisë.
Në komunikatën e LDK-së thuhet se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht Kuvendit për zgjedhjen e Kryetarit të LDK-së.
Më tej thuhet se në mbledhjen e sotme, u paraqitën edhe dy kandidatura për Kryetar të LDK-së. Kandidaturat për Kryetar të LDK-së i paraqitën Lutfi Haziri nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i Gjilanit si dhe Lumir Abdixhiku, anëtar i Kryesisë së LDK-së.
Sipas njoftimit në mbledhje gjithashtu është thënë se ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim.
Ndërkohë anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar vet kandidaturën për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e brendshme të 14 marsit që do të mbahen nga ky subjekt politik.
Kandidaturën e tij e ka konfirmuar Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, duke thënë se këtë vendim e ka marrë pas mbështetjes nga votuesit dhe nga anëtarët e LDK-së, të cilët ia kanë kërkuar një gjë të tillë.
Përveç, Abdixhikut, edhe Anton Quni ka deklaruar se do të jetë kandidat për postin e kryetarit të LDK-së.
Quni e ka konfirmuar kandidaturën gjatë një interviste në njërin nga televizonet në Kosovës, teksa ka thënë se do ta rikthejë votuesin e LDK-së.
Kandidatura e tij për kryetar të LDK-së vjen pasi Isa Mustafa dha dorëheqje nga ky post pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 14 shkurtit.