Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje të cilat kanë udhëhequr së bashku në komunën e Vushtrrisë, sot e kanë prishur koalicionin.
Kështu ka thënë për IndeksOnline, kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, i cili tha se VV nuk e ka votuar dje Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të Vushtrrisë.
“Në fakt dje LVV-ja në Vushtrri nuk e ka përkrahur planin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Vushtrrisë. Ky një plan i hartuar për të dal nga kriza, një prej planeve më të rëndësishme edhe për një koncept ndryshe, se si do të duhej të dukej politika lokale në Vushtrri për 10 vitet e ardhshme. Për këtë arsye unë dje i kam bërë të ditur nënkryetarit të komunës dhe kryetarit të Degës që unë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë koalicionin”, tha ai.
Tahiri tha se sot do t’i liroj nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë e që i përkasin VV-së.
“Natyrisht që sot do të lirojë nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë. Tashmë edhe i kam liruar nga detyra”, ka deklaruar më tutje ai.
Lidhur më këtë qështje kryetari Tahiri do të mbaj një konferencë për media në ora 11:00./RTV-Okarina/